Shkolla e Magjistraturës, më datë 8 janar 2025, zhvillon aktivitetin trajnues me temë “Akti i njoftimit të akuzës, karakteristikat, veprim hetimor/procedural. Pavlefshmëria e aktit të njoftimit të akuzës, pasojat e pavlefshmërisë. Ndryshimi, plotësimi dhe saktësimi i akuzës. Kuptimi dhe zbatimi i tyre në praktikë. Rimarrja e cilësisë së të pandehurit pas prishjes së vendimit
dhe efektet ligjore”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet drejtohet nga:
Ekspertë: Klodian Kurushi dhe Florjan Kalaja
Lehtësues: Sotir Kllapi
Qëllimi i këtij trajnimi është: të pajisë pjesëmarrësit me një kuptim të thelluar mbi aktin e njoftimit të akuzës, duke trajtuar karakteristikat e tij si një veprim hetimor dhe procedural, shkaqet dhe pasojat e pavlefshmërisë, si dhe procedurat për ndryshimin, plotësimin apo saktësimin e akuzës. Gjithashtu, fokusohet në zbatimin praktik të këtyre koncepteve dhe në efektet ligjore të rimarrjes së cilësisë së të pandehurit pas prishjes së vendimit, duke ndihmuar pjesëmarrësit të zhvillojnë aftësi për zgjidhjen e çështjeve konkrete në përputhje me legjislacionin penal.
Trajnimi do të realizohet duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues do të trajtohen tema të ndryshme, si:
- Regjimi juridik i akuzës në fazën e hetimit paraprak
- Regjimi juridik i akuzës në seancën paraprake
- Regjimi juridik i akuzës në gjykimin fillestar të zakonshëm
- Regjimi juridik i akuzës në gjykimin fillestar të posaçëm
- Regjimi juridik i akuzës në gjykimin rishikues
Në këtë aktivitet trajnues marrin pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.